roli-i-menaxheri-ne-nje-restorant

Shpesh roli i menaxherit në një restorant nuk kuptohet si duhet dhe nuk mendoj se pronarët e restoranteve e kanë të qartë punën që menaxherët duhet realisht të bëjnë. Sot menaxherët e restoranteve duket se bëjnë një punë prej “përtaci”, ku heqin dorë nga disa prej detyrave që duhet të bëjnë. Prandaj po hedhim pak dritë mbi rolin që ne këshillojmë që një menaxher restoranti duhet të ketë.

Shkurtimisht, menaxherët kanë përgjegjësinë për të kontrolluar dhe administruar të gjithë ecurinë e restorantit, ditë pas dite, detyrë pas detyre. Por, në fakt menaxherët mundohen ta bëjnë punën e tyre sa më interesante dhe argëtuese dhe të heqin dorë nga aspekti i mërzitshëm i punës. Ata përpiqen t’i kushtojnë rëndësi marrëdhënies me klientët apo furnitorët dhe të kryejnë me to biseda kryesisht duke konsumuar edhe ndonjë kafe. Por menaxhimi i një restoranti është shumë më tepër se aq. Menaxherët duhet të përsërisin çdo ditë të njëjtat gjëra, vazhdimisht, për t’u siguruar që do të merren rezultatet e kërkuara. Cilat janë këto aspekte të mërzitshme të menaxhimit?

Mendoni një supervizor klasik të një fabrike që detyra e tij është të kontrollojë një linjë prodhimi moment pas momenti, për t’u siguruar që secili punëtor është në vendin e duhur, po e bën punën siç duhet dhe me performancën e kërkuar. Pjesa më e madhe e punës së tij gjatë ditës është kjo dhe nuk mund të themi se është detyrë interesante. Por është e nevojshme. Roli i një menaxheri restoranti nuk është shumë i ndryshëm nga ky i mësipërmi.  Ata duhet të jenë përgjegjës dhe të kontrollojnë të gjithë aspektët e shërbimit në restorant: sa klientë kanë ardhur dhe pse nuk ka më shumë, a ka ardhur çdo furnizim në sasinë e duhur, çfarë po ndodh në kuzhinë, pse po vonohet porosia në tavolinën 16, a është temperature e ambjentit aq sa duhet, pse tavolinës 7 nuk i kanë çuar ujë, etj.